All NT OTBook
Compare Texts
Matthew 1 Mark 13

Mark 14:1-72

Mark 15 Luke 1

Albanian Bible

 
 
 
Mar 14:1
 
Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin.  
 
Mar 14:2
 
Por thonin: ''Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli''.  
 
Mar 14:3
 
Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye.  
 
Mar 14:4
 
Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: ''Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit?  
 
Mar 14:5
 
Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t'u jepeshin të varfërve''. Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj.  
 
Mar 14:6
 
Por Jezusi tha: ''Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje.  
 
Mar 14:7
 
Sepse të varfërit do t'i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t'u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë.  
 
Mar 14:8
 
Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim.  
 
Mar 14:9
 
Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj''.  
 
Mar 14:10
 
Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t'ua dorëzonte Jezusin.  
 
Mar 14:11
 
Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.  
 
Mar 14:12
 
Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: ''Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?''.  
 
Mar 14:13
 
Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: ''Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë.  
 
Mar 14:14
 
Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?".  
 
Mar 14:15
 
Atëherë ai do t'ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne''.  
 
Mar 14:16
 
Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën.  
 
Mar 14:17
 
Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët.  
 
Mar 14:18
 
Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: ''Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë''.  
 
Mar 14:19
 
Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t'i thoshin njëri pas tjetrit: ''Mos jam unë?''. Dhe një tjetër tha: ''Mos jam unë?''.  
 
Mar 14:20
 
Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Éshtë një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak.  
 
Mar 14:21
 
Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!''.  
 
Mar 14:22
 
Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Merrni, hani; ky është trupi im''.  
 
Mar 14:23
 
Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.  
 
Mar 14:24
 
Atëherë u tha: ''Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.  
 
Mar 14:25
 
Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë''.  
 
Mar 14:26
 
Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve.  
 
Mar 14:27
 
Dhe Jezusi u tha atyre: Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: "Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen".  
 
Mar 14:28
 
Por, mbasi të ringjallem, unë do t'ju pararend në Galile''.  
 
Mar 14:29
 
Dhe Pjetri i tha: ''Edhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem''.  
 
Mar 14:30
 
Dhe Jezusi i tha: ''Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë''.  
 
Mar 14:31
 
Por ai, duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: ''Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë''. Të njëjtën gjë thoshnin edhe gjithë të tjerët.  
 
Mar 14:32
 
Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: ''Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur''.  
 
Mar 14:33
 
Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi;  
 
Mar 14:34
 
dhe u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar''.  
 
Mar 14:35
 
Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë.  
 
Mar 14:36
 
Dhe tha: ''Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!''.  
 
Mar 14:37
 
Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: ''Simon, po fle? S'ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme?  
 
Mar 14:38
 
Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët''.  
 
Mar 14:39
 
U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë.  
 
Mar 14:40
 
Kur u kthye, i gjeti përsëri në gjumë dishepujt, sepse sytë e tyre ishin rënduar dhe ata nuk dinin çfarë t'i përgjigjeshin.  
 
Mar 14:41
 
Së fundi, kthehet për të tretën herë dhe u thotë atyre: ''Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve.  
 
Mar 14:42
 
Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!''.  
 
Mar 14:43
 
Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë.  
 
Mar 14:44
 
Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: ''Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt''.  
 
Mar 14:45
 
Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: ''Rabbi, Rabbi!''; dhe e puthi përzemërsisht!  
 
Mar 14:46
 
Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan.  
 
Mar 14:47
 
Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.  
 
Mar 14:48
 
Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: ''Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub?  
 
Mar 14:49
 
E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët; por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!''.  
 
Mar 14:50
 
Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë.  
 
Mar 14:51
 
Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellur me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën.  
 
Mar 14:52
 
Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre.  
 
Mar 14:53
 
Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët.  
 
Mar 14:54
 
Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit.  
 
Mar 14:55
 
Dhe krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrit kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin.  
 
Mar 14:56
 
Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin.  
 
Mar 14:57
 
Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan rrejshëm kundër tij duke thënë:  
 
Mar 14:58
 
''Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: "Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar"''.  
 
Mar 14:59
 
Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përkonte.  
 
Mar 14:60
 
Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: ''Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?''.  
 
Mar 14:61
 
Por ai heshti dhe nuk u përgjegj fare. Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: ''A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?''.  
 
Mar 14:62
 
Dhe Jezusi tha: ''Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit''.  
 
Mar 14:63
 
Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: ''Ç'nevojë kemi më për dëshmitarë?  
 
Mar 14:64
 
Ju e dëgjuat blasfeminë, ç'ju duket?''. Dhe të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen.  
 
Mar 14:65
 
Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t'ia zënë fytyrën, ta qëllojnë me shuplaka dhe t'i thonë: ''Profetizo!''. Dhe rojat e godisnin.  
 
Mar 14:66
 
Ndërsa Pjetri ishte poshtë në pallat, erdhi një shërbëtore e kryepriftit.  
 
Mar 14:67
 
Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: ''Edhe ti ishe me Jezusin Nazareas''.  
 
Mar 14:68
 
Por ai e mohoi duke thënë: ''Nuk e njoh, nuk kuptoj çfarë thua''. Pastaj doli jashtë në hajat dhe gjeli këndoi.  
 
Mar 14:69
 
Dhe shërbëtorja, duke e parë përsëri, filloi t'u flasë të pranishmëve: ''Ky është një nga ata''.  
 
Mar 14:70
 
Por ai përsëri e mohoi. Dhe pak më vonë të pranishmit i thanë përsëri Pjetrit: ''Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je Galileas dhe e folura jote e zbulon''.  
 
Mar 14:71
 
Por ai nisi të mallkojë dhe të betohet: ''Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni''.  
 
Mar 14:72
 
Dhe gjeli këndoi për të dytën herë; atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë: ''Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë''. Dhe, duke e menduar këtë, qau.  

Genesis | Exodus | Leviticus | Numbers | Deuteronomy | Joshua | Judges | Ruth | 1 Samuel | 2 Samuel | 1 Kings | 2 Kings | 1 Chronicles | 2 Chronicles | Ezra | Nehemiah | Esther | Job | Psalms | Proverbs | Ecclesiastes | Song of Solomon | Isaiah | Jeremiah | Lamentations | Ezekiel | Daniel | Hosea | Joel | Amos | Obadiah | Jonah | Micah | Nahum | Habakkuk | Zephaniah | Haggai | Zechariah | Malachi | Matthew | Mark | Luke | John | Acts | Romans | 1 Corinthians | 2 Corinthians | Galatians | Ephesians | Philippians | Colossians | 1 Thessalonians | 2 Thessalonians | 1 Timothy | 2 Timothy | Titus | Philemon | Hebrews | James | 1 Peter | 2 Peter | 1 John | 2 John | 3 John | Jude | Revelation
Matthew 1Mark 131 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 Mark 15Luke 1
© 2005 redegg.org Home | Bible | About | Help | Site Map | Violin Flash Cards