| |
Albanian Bible |  | |
 |
| |
| | Mat 18:1 | Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: ''Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?''.
| |
| | Mat 18:2 | Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre
| |
| | Mat 18:3 | dhe tha: ''Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.
| |
| | Mat 18:4 | Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.
| |
| | Mat 18:5 | Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.
| |
| | Mat 18:6 | Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t'i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit.
| |
| | Mat 18:7 | Mjerë bota për skandalet! Sepse është nevojshëm të vijnë skandalët, por mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali!
| |
| | Mat 18:8 | Tani në qoftë se dora jote ose këmba jote të skandalizohet për mëkat, preje dhe flake nga vetja; është më mirë për ty të hysh në jetë dorëcung ose i çalë, se sa të kesh dy duar dhe dy këmbë dhe të hidhesh në zjarr të përjetshëm.
| |
| | Mat 18:9 | Po ashtu, në qoftë se syri yt të skandalizohet për mëkat, nxirre dhe hidhe larg teje; është më mirë për ty të hysh në jetë vetëm me një sy se sa t'i kesh të dy dhe të të hedhin në Gehena të zjarrit.
| |
| | Mat 18:10 | Ruhuni se përbuzni ndonjë nga këta të vegjël, sepse unë po ju them se engjëjt e tyre në qiej shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim, që është në qiej.
| |
| | Mat 18:11 | Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur.
| |
| | Mat 18:12 | Si mendoni? Në qoftë se një njeri ka njëqind dele dhe njera prej tyre humb rrugën, a nuk do t'i lërë ai të nëntëdhjetë e nëntat mbi male për të kërkuar atë që humbi rrugën?
| |
| | Mat 18:13 | Dhe në se i ndodh ta gjejë, unë ju them në të vërtetë se ai do të gëzohet më shumë për këtë, se sa për të nëntëdhjetë e nëntat që nuk kishin humbur rrugën.
| |
| | Mat 18:14 | Kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë''.
| |
| | Mat 18:15 | ''Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, ti e fitove vëllanë tënd;
| |
| | Mat 18:16 | por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve.
| |
| | Mat 18:17 | Në se pastaj refuzon t'i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës.
| |
| | Mat 18:18 | Në të vërtetë ju them se gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell.
| |
| | Mat 18:19 | Po ju them gjithashtu se, në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje, kjo do t'u jepet atyre nga Ati im që është në qiej.
| |
| | Mat 18:20 | Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre''.
| |
| | Mat 18:21 | Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: ''Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?''.
| |
| | Mat 18:22 | Jezusi i tha: ''Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.
| |
| | Mat 18:23 | Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.
| |
| | Mat 18:24 | Mbasi filloi t'i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta.
| |
| | Mat 18:25 | Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç'kishte, dhe të shlyejë detyrimin.
| |
| | Mat 18:26 | Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t'i paguaj të gjitha".
| |
| | Mat 18:27 | I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin.
| |
| | Mat 18:28 | Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke".
| |
| | Mat 18:29 | Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: "Ki durim me mua, dhe do t'i paguaj të gjitha".
| |
| | Mat 18:30 | Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg deri sa ai ta shlyente detyrimin.
| |
| | Mat 18:31 | Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur.
| |
| | Mat 18:32 | Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m'u lute.
| |
| | Mat 18:33 | A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?".
| |
| | Mat 18:34 | Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin.
| |
| | Mat 18:35 | Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij''.
| |